Lajme

“T’vras nëse nuk e nënshkruan kontratën”, prishtinasi kërcënon babain, intervenon Policia

Çdo ditë e më shumë po raportohen raste të dhunës në familje, ku shpeshherë viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre. Një rast i rëndë ka ndodhur edhe të shtunën, në rrugën “Mark Raka” në Prishtinë, raportoj Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 40-vjeçar, i cili po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, të cilin edhe e ka kanosur seriozisht, pas një mosmarrëveshje mes tyre.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur dje pasdite në shtëpinë e tyre, kur babai i të dyshuarit, i cili u ballafaqua me kërcënimet e të birit, u detyrua të kërkojë ndihmë nga Policia. Bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve policorë, djali e ka kanosur, duke e kushtëzuar në lidhje me një kontratë. Sipas viktimës, djali i tij i ka thënë se do ta vras nëse nuk e nënshkruan kontratën për të cilën nuk ishin marrë vesh.

Përballë kësaj situate mjaft shqetësuese, viktima ka vendosur ta denoncojë të birin. Me t’u raportuar rasti, Policia ka intervenuar duke e arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është intervistuar dhe është përballur me pretendimet e babait të tij.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i njëjti u dërgua në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.