Kryesore

Krejt çka dihet për propozimin e ri për liberalizim që hyn në fuqi jo më vonë se në dhjetor 2023

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka hartuar një vendim të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku thuhet se nisja e zbatimit të liberalizimit të vizave do të ndodhë në të njëjtën kohë me atë të sistemit ETIAS, por jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023.

Ky vendim siç raportohet është formalizuar pas takimit të përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në grupin punues për vizat në Këshillin e BE-së, takim që u mbajt të enjten dhe është një kompromis mes kërkesës së Francës që hyrja në fuqi të lidhet me funksionalizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

Pavarësisht kësaj, shumica e shteteve anëtare kanë kërkuar që këto dy tema të mos lidhen, ose së paku të caktohet një datë, prej kur do të vendoset që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

“Heqja e vizave do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave biometrike të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil [ICAO] dhe nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të operimit të ETIAS, por në çdo rast jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”, thuhet në draftin e fundit të tekstit të propozimit nga Presidenca çeke.

Sipas diplomatëve të BE-së kjo do të thotë se liberalizimi mund të nisë më 1 nëntor 2023, në rast se në atë datë nis edhe funksionimi i ETIAS-it. Por, nëse ky sistem nuk do të jetë i gatshëm apo nuk do të nisë që të zbatohet, atëherë liberalizimi i vizave gjithsesi do të nisë më së voni më 1 dhjetor të vitit 2023.

Diplomatët e BE-së e konsiderojnë këtë gjë si të rëndësishme për Kosovën pasi në këtë mënyrë, sipas tyre, shmanget mundësia që Kosova të presë për liberalizim në rast të moshyrjes në fuqi të ETIAS-it.

Funksionalizimi i këtij sistemi është shtyrë disa herë edhe pse ai teknikisht ka qenë gati. Afati i ri i nisjes së zbatimit të ETIAS-it është 1 nëntori i vitit 2023, por nuk ka garanci se kjo në të vërtetë do të ndodhë.

Synimi është që deri në fund të vitit të merret një vendim për liberalizimin e vizave dhe të caktohet data e hyrjes në fuqi së bashku me ETIAS-in, apo më së voni deri më 1 dhjetor të vitit 2023.

Në propozimin e fundit të Presidencës çeke kanë mbetur edhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në nisjen e liberalizimit të vizave, të përshtatë politikat e vizave me ato të BE-së dhe të bëjë marrëveshje apo aranzhime për riatdhesim me ato shtete të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tilla.

Në versionin e mëhershëm ishin përmendur vetëm “marrëveshjet”, por tani në tekst është futur edhe termi “aranzhime”. Kjo është bërë që Kosova dhe shtetet që nuk njohin pavarësinë e saj të mund të bëjnë “aranzhime” për këtë çështje, nëse këto shtete nuk duan të arrijnë marrëveshje formale ndërshtetërore.

Në tekst thuhet po ashtu se Kosova ka bërë përparim domethënës në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për vizat, sikurse sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufijve dhe migrimit, përfshirë edhe azilin, rendin publik dhe sigurinë, si dhe në çështjen e të drejtave themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Vendet anëtare të BE-së në takimin e fundit të grupit punues për vizat kishin përafruar qëndrimet rreth një kompromisi por, siç kishte komunikuar Presidenca çeke, nuk kishin arritur konsensus.

Në grupin punues për vizat ishin zhvilluar dy diskutime për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Tani besohet se kompromisi për të cilin kanë rënë dakord në takimin e fundit do të mundësojë që vendimi të miratohet sa më shpejt, megjithëse hyrja e tij në fuqi do të caktohet për datën 1 nëntor të vitit 2023 bashkë me sistemin ETIAS, apo në çdo rast më 1 dhjetor. Por, gjithmonë ekziston dhe mundësia ndonjë shtet të jetë vërejtje dhe të shtyhet përsëri miratimi i vendimit.