Tentim vrasja me thika mes nxënësve në Viti: Zbulohet se kush janë të arrestuarit – vëllezërit Alimi në arrati
Rrahja mes dy grupeve të nxënësve të shkollave të mesme në Viti për pak sa nuk përfundoi tragjikisht të premten pasdite. Katër persona mbetën të plagosur, tre u arrestuan, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarve të përfshirë dhe detaje nga përleshja.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit kryesorë për tentim vrasjen me thika janë dy vëllezër, K. Alimi dhe M.Ali, të cilët kanë arritur t’iu ikin prangave të Policisë dhe tashmë ndodhen në arrati.
Kurse tre të arrestuarit e tjerë të dyshuar për pjesëmarrje në rrahje janë dy të mitur E.R., B.F., dhe Taulant Haliti (i moshës madhore) që tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Në anën tjetër, tre prej të lënduarve u dërguan në QKUK për shkak të plagëve serioze që kanë pësuar si pasojë e goditjeve, ndërsa njëri prej tyre u dërgua në qendrën emergjente në Gjilan.
Siç mëson Sinjali, Policia ka siguruar prova në lidhje me rastin (pamje nga kamerat e sigurisë në objektet afër lokacionit ku ka ndodhur ngjarja) që do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë.
Rrëfime për rrahjen brutale dhe atë që ka ndodhur mes të miturve kanë dhënë edhe disa dëshmitarë, të cilët janë intervistuar nga hetuesit policorë.
Derisa viktimat po vazhdojnë trajtimin mjekësor, Policia është aktivizuar për të rënë në gjurmët e dy të dyshuarve kryesorë, të cilët janë shpallur në kërkim.
Fakton.Info do të ju mbajë të informuar në lidhje me detajet e reja të rastit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.