Lajme

Zvogëlohen reshjet e borës për nesër!

Analizat më të fundit të modeleve globale kompjuterike për parashikim të motit kanë pakësuar edhe më shumë reshjet e para të borës në Republikën e Kosovës.

Lajmërimet tona disaditore se nuk priten reshje të mëdha dhe se ato nuk do të jenë fare të qëndrueshme duket se do të dalin krejtësisht të sakta, madje daljet e analizave më të fundit të modeleve kanë pakësuar edhe më shumë reshjet e borës për të dielen.

Sidoqoftë, fjollat e para të borës do të të bien nesër në shumë vise të Republikës së Kosovës, pak më intensive në viset kodrinore-malore. Disa ultësira nuk do të kenë fare reshje bore. Pasdite ose në mbrëmje mund të kemi të paktën një interval ose dy reshjesh bore me pamje të bukura për syrin tonë.

Entuziastët e reshjeve të borës ( mes tyre edhe ne) sigurisht se do të jemi paksa të zhgënjyer, por dimri vetëm sa ka filluar dhe ti shijojmë ato fjolla për shëndet nesër sa të mundemi./MeteoBallkan