Shtyhet gjobitja për shoferët me targa ilegale, Policia lëshon njoftimin
Është shtyer për një ditë masa e gjobitjes për ngasësit e veturave me targat ilegale serbe.
Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi, në të cilin specifikohet se masa për qortim mbetet në fuqi edhe më 21 nëntor.
Shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh sipas Policisë do të zgjasë deri me 21 janar 2023, ndërkohë që deri më 20 nëntor janë shqiptuar rreth 1.740 qortime për shoferët e makinave me targa ilegale serbe.
“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi.
Policia e Kosovës në vazhdimësi ka përcjellë dhe vlerësuar zhvillimet në vend duke bërë vlerësime profesionale konform të cilave ka ndërmarrë masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Për çështjen e targave, nesër në Bruksel pritet të zhvillohet një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj nga 1 nëntori. Plani për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia ka paraparë tri faza.
Faza e parë përfshiu qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Ky vendim ka tensionuar situatën në veri të Kosovës, që pasoi me largimin e serbëve nga të gjitha institucionet.