Lajme

E rëndë: Sigurimi i QKMF-së tenton t’i japë fund jetës së tij, i pret venat në vendin e punës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, ku një person ka tentuar që t’i japë fund jetës së tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës bëjnë me dije se 41-vjeçari është dërguar atje në gjendje të rëndë, pasi i njëjti kishte prerë venat e dorës.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e viktimës është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë intervistuar një dëshmitar i cili punon bashkë me viktimën, për të cilin Sinjali mëson se ushtron detyrën e punëtorit të sigurimit në QKMF-në në Fushë Kosovë. Ai ka deklaruar se ka gjetur kolegun e tij në vendin e punës dhe menjëherë i ka ndihmuar duke e dërguar në spital.

Nuk dihen ende motivet që e shtynë viktimën që të bëjë këtë veprim, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje në tentativë’.