Lajme

“Nuk ka pare Serbia me ble këtë tokë e as këto dy kulla”

Ali Kadriu nga lagjia “Kroi i Vitakut” në Veri të Mitrovicës, është shqiptari i parë që rezistoi pengesave nga serbët për të ndërtuar shtëpinë në këtë lagje.

Ndërtimi dhe renovimi i shtëpive, pas luftes në veri është shumë i vështirë.

Mirëpo, Ali Kadriu me këmbënguljen e tij arriti ta ndërton shtëpinë me disa karakteristika të veçanta.

Edhe pse qeveria serbe i ofroi shumë të mëdha të parave për të shitur tokën dhe shtëpinë, por Aliu nuk pranoi.

“Aliu i pathyeshëm”, “Ali Kadriu refuzon paratë e Qeverisë, kërkon siguri”, “Spektakël në oborrin e Ali Kadriut”, këto ishin titujt e ballinave në mediat kosovare në vitin 2008, kur ai nuk u lejua të futet në shtëpinë e tij nga forcat speciale të UNMIK-ut.

Pavarësisht rrezikut të shtuar në Veri të Mitrovicës ai edhe sot nuk pranon t’i lëshoj kullat e tij.

“Situate e fundit është pak e tensionuar. Mirëpo siguria është deri diku nuk është krejt por deri diku po. Sido që të bëhet ne nuk dalim nga këtu nuk kemi ku të shkojmë prej ktuhit në tokë teme jam ne vend temin jam jam. Njet se kam me dal nga këtu”, deklaroi ai.

Në rast se i bëhet thirrje për të lëshuar Veriun e Mitrovicës, Aliu i emocionuar është i qartë në përgjigjen e tij.

“Për mu nuk bënë ajo thirrje, unë nuk ni bash mirë por at’hërë atë thirrje nuk e ni hic. Nuk dal prej ktuhit”.

Që 23 vite pas luftës, Aliu thotë se asnjë qeveri nuk bëri asgjë për shqiptarët e Mitrovicës së Veriut për të mos i shitur shtëpitë e tyre atje.

“E di që njerëzit kanë dhënë jetën për këtë vend e ne të gjallët mos me kon në gjendej që 23 qeveritë me i kthy banorët, kjo është sikur ajo kënga popullore “Ka po shkon moj zënë”. Qysh po mundet Beogradi me Investu as nuk është pronë e tij po mundem me i maru banesat e me ble prej shqiptarëve”.

Ai i fajëson edhe banorët që i shitën shtëpitë e tyre. Thotë se zgjodhën rahatinë.

“I fajësoj ata se kanë mujt me prit. Disa që i kanë shit i kanë pas kushtet e mira por kanë pas rahatinë. Po rahati ka kur të gjinden kufomat e të zhdukurve. Unë nuk rahatona kurrë. Kur e di që ka familjarë që presin eshtrat e djemve të tyre”.

Aliu ndihet i harruar nga qeveria e Kosovës.

“Po i demoralizon njerëzit sepse s’po mujn me hi në punë. Siguri nuk ka. Po jau imponon me dal me lëshu vendin”, tha ai për Insajderin.