Lajme

Zbulohet se kush është personi i arrestuar për kërcënim ndaj Zana Avdiut pas komentit për Xhakën

Denoncimi i aktivistes dhe analistes Zana Avdiu për kërcënimet që mori pas reagimit të saj në lidhje me kritikën që i bëri gjestit të Granit Xhakës në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë, ka vënë në lëvizje Policinë. Sinjali raportoi sonte se një person i dyshuar për kanosje ndaj saj është arrestuar dhe i njëjti ndodhet nën masën e ndalimit policor. Por kush është njëri nga personat e dyshuar që ka rënë në prangat e Policisë?

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi i arrestuar është 22-vjeçari, Ensar Bajraktari, i cili është shoqëruar sot në stacion policor për intervistim dhe pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për veprën penale “kanosje”.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se hetuesit policorë po vazhdojnë identifikimin e personave të tjerë të dyshuar, të cilat janë përfshirë në kërcënimet ndaj aktivistes.

Kujtojmë se familja e futbollistit Xhaka, po mendon ta padisë Avdiun, pasi ajo e cilësoi sjelljen e tij si të një rrugaçi gjatë fitores së Zvicrës 3:2 kundër Serbisë në Kupën e Botës.

Avdiu e kritikoi Xhakën pse i kapi organet gjenitale kur iu drejtuar bankës serbe dhe i shau ata me nënë gjatë ndeshjes së tensionuar në Katar.

Ajo shkroi pas ndeshjes: “Akti i Granit Xhakes, eshte per turp. Akt prej nje rrugaçi. Dhe, fatkeqesia eshte, qe asnje nuk la pa e shpernda ate foto. Pra, zero nivel, ne nje shtet te tane!”

I ashpër ndaj saj ishte babai i Granitit, Ragip Xhaka, i cili e kërcënoi atë gjatë një lidhjeje direkte në emisionin “Favorit”.

“Ke kujdes shumë për familjen Xhaka që shkruan se do përgjigjesh në çdo mënyrë. Por, pastaj është shumë vonë. Ti nuk e di çfarë do të ndodh”, i tha Ragip Xhaka.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.