Lajme

Vendoset barrikadë edhe në Qabër, fshatin e banuar me shqiptarë

Bllokimi i rrugëve në veri ka vazhduar edhe sot me një barrikadë të re.

KALLXO.com merr vesh që është ngritur edhe një barrikadë tjetër, tani në Qabër.

Sipas informatave të KALLXO.com gjithashtu barrikada e vendosur në Zubin Potok është zhvendosur më poshtë.

Sot, është raportuar situatë e qetë në veri të vendit.

Grupe të qytetarëve serbë kanë bllokuar rrugët kryesore në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok dhe në këtë mënyrë kanë pamundësuar në tërësi qarkullimin me vetura.

Qytetarët të cilët duhet të dalin jashtë barrikadave duhet të përdorin rrugë alternative duke shfrytëzuar edhe oborret e komshinjve të tyre.

Disa të tjerë, po kalojnë barrikadat në këmbë e më pas po vazhdojnë drejt Mitrovicës së Veriut.

Në Zveçan, barrikada e formuar nga rreth 10 makineri të rënda e autobusë është vendosur në fshatin Rudarë.

Kjo rrugë magjistrale lidh Komunën e Mitrovicës së Veriut me Zveçanin, Leposaviqin e më pas të dërgon drejt pikës kufitare në Jarinjë.

Kjo pikë ka katër ditë që është jashtë funksionit për shkak të bllokadave që u vendosën aty. Ngjashëm situata është edhe në pjesën tjetër atë të Zubin Potokut.

Në atë pjesë, KALLXO.com raportoi dje se misionet ndërkombëtare po përdorin rrugën alternative për të monitoruar gjendjen e krijuar në javën e fundit.

Barrikadat janë vendosur pas alarmit të lëshuar ditën e shtunë kur edhe u arrestua ish-zyrtari policor Dejan Pantiq nën dyshimet se organizoi sulmin ndaj zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor që gjendet në Mitrovicën e Veriut.Policia e Kosovës sot ka njoftuar që situata është e qetë ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident.

Në katër komunat me shumicë serbe situata nisi të tensionohej një javë më parë, kur fillimisht zyrtarët e lartë të përzgjedhur nga KQZ nuk u lejuan që të futeshin brenda zyrave komunale për të nisur procesin e zgjedhjeve që priteshin të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor.Zyrat e KKZ-së u sulmuan me mjete shpërthyese ndërsa zyrtarët e lartë u tërhoqën dhe nuk vazhduan tutje.

Ditë më pas Policia e Kosovës vendosi që të siguronte Lagjen e Boshnjakëve për shkak të incidenteve që u raportuan aty.

Gjatë këtyre ditëve pati të raportuara edhe sulme, shkëmbime me armë zjarri mes policisë dhe grupeve kriminale në veri të vendit.

Një zyrtar policor është plagosur pasi persona të maskuar gjuajtën me armë zjarri në drejtim të tyre.