Shenja dhune dhe njolla gjaku në vendngjarje, ky është 56-vjeçari që u gjet i vdekur në Mitrovicë
Një ngjarje ka ndodhur sot në qytetin e Mitrovicës, ku një person është gjetur pa shenja jete në rrugën ‘UÇK’. I ndjeri ka humbur jetën në rrethana të dyshimta, teksa Policia ka nisur hetimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se viktima është Sami Morina, 56-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se në vendin e ngjarjes kanë hasur në trupin e viktimës, ku pas ekzaminimeve për shenjat vitale mjeku ka konstatuar se ai ka ndërruar jetë.
Të njëjtat burime njoftojnë se i ndjeri kishte shenja dhune dhe në vendngjarje janë vërejtur njolla gjaku.
Rastin e rëndë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se hetuesit policorë me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për rastin.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.