Lajme

SHBA mirëpret marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë: Hap gjigant drejt paqes dhe stabilitetit në rajon

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë me një reagim pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave, raporton Gazeta Sinjali.

Në reagimin e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, thuhet se SHBA mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa bëjnë thirrje që palët të përqendrohen tutje në normalizimin e marrëdhënieve.

“Shtetet e Bashkuara mirëpret marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Palëve u bëhet thirrje që të përqendrohen tutje “plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve” në dialogun e lehtësuar nga BE.” thuhet në reagimin e Price.

Në reagim po ashtu theksohet se Washingtoni mirëpret vendimin e palëve për të vënë interesat e të gjithë njerëzve në plan të parë, ndërsa u kërkohet që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.

“Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve” theksojnë amerikanët.