Serbia po i trajnon ushtarët për përdorimin e artilerisë së rëndë afër kufirit me Kosovën
Në divizionin e artilerisë së “Howitzer-it”(haubica) vetëlëvizës të Brigadës së Katërt të Ushtrisë serbe, po zhvillohet trajnimi intensiv i personelit profesional për përdorimin luftarak të topave vetëlëvizës të njohur si “gvozdika” 122 mm 2S1.
Sipas njoftimit të ushtrisë serbe, shërbimet e këtyre sistemeve të artilerisë janë duke u trajnuar në poligonin stërvitor në afërsi të Vranjës dhe kanë për qëllim realizimin e detyrave kolektive dhe përmirësimin e stërvitjes së tyre për ofrimin e mbështetjes me zjarr ndaj njësive manovruese të Ushtrisë Tokësore, shkruan Demokracia.com.
Kjo stërvitje është edhe një kërcënim i Serbisë ndaj Kosovës, pasi që Vranja ndodhet vetëm pak kilometra larg kufirit lindor të Kosovës, respektivisht në zonën e Luginës së Preshevës.
Ditë më parë, në Kralevë, po ashtu jo shumë larg kufirit me Kosovën, ministri serb i Punëve të Brendshme, Bratisllav Gashiq i kishte vizituar xhandarmërinë, duke kërkuar prej tyre që të jenë në gjendje gatishmërie pas “sulmeve të shqiptarëve ndaj serbëve në veri”.