Lajme

“Për 200 euro ndihmë” – Drejtori i Bedri Hamzës përfshihet në marrëveshje me kompaninë e bastisur për falsifikim

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka nënshkruar një marrëveshje për ndihmë financiare me laboratorin “Avicena KS” më 18 tetor. Marrëveshja u arritë mes Drejtorisë për Shëndetësi të Komunës, përfaqësuar nga Fahri Shabani, dhe laboratorit “Avicena KS,” të përfaqësuar nga drejtori menaxhues, Amar Shuki. Marrëveshja që parasheh një ndihmë financiare prej 200 eurove, u arrit vetëm pak ditë pas bastisjeve të kryera nga Krimet Ekonomike nën dyshimin se ky laborator po lëshon certifikata false të testeve për patentë shoferë.

Siç kuptohet edhe nga data, marrëveshje është lidhur tetë (8) ditë pas bastisjes së pikave të “Aviena KS”.

Sipas kësaj marrëveshje qëllimi është mbulimi i pagesës së një mjeku radiolog për të ndihmuar Komunën në sektorin shëndetësor.

Çka thuhet në marrëveshjen mes palëve?

Në dokumentin e marrëveshjes të siguruar nga veriu.info thuhet se Komuna e Mitrovicës së Jugut dhe laboratori “Avicena KS” kanë rënë dakord për një pagesë prej 200 eurosh për të mbuluar shërbimet e radiologut Hamid Sahiti, i cili është i angazhuar për të ofruar shërbime në këtë komunë.

Pagesa është përcaktuar për periudhën kohore 18 tetor – 15 nëntor 2024, gjatë së cilës radiologu do të ofrojë shërbimet e tij një herë në javë për katër javë. Marrëveshja përmban gjithashtu dispozita për konfidencialitetin dhe deklaron se marrëveshja është e bazuar në vullnetin e lirë të të dyja palëve, pa presion apo detyrim.

“Çdo mosmarrëveshje që mund të lindë do të zgjidhet në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash.

Në pjesën përfundimtare të marrëveshjes, palët kontraktuese konfirmojnë dokumentin me nënshkrime dhe vula.

Për Komunën e Mitrovicës së Jugut, nënshkrues është Fahri Shabani, Drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi, ndërsa për laboratorin “Avicena KS” nënshkrues është Amar Shuki, Drejtor Menaxhues.

Për çka dyshohet Avicena?


Me 10 tetor, Drejtoria e Krimeve Ekonomike ka zbarkuar në disa pika të laboratorit “Avicena”. Gazeta Insajderi raportoi se arsyeja e këtij aksioni lidhet me dyshimin se ky laborator se ka lëshuar certifikata të falsifikuara për nevoja të procesit të patentë shoferëve.

Këtë raportim të Insajderit e kishte konfirmuar edhe prokurori i Prokurorisë Themeloren në Prishtinë në Departamentin për Krime të Rënda, Besnik Jakupi.

“Po, me urdhëresë të gjykatës është. Unë e kam ba kërkesën, çertifikatat mjekësore për patentë shoferë janë lëshu prej pikave që nuk kanë pas licencë”, kishte deklaruar ai.

Jakupi shtoi se rasti ka të bëjë me veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i kundërligjshëm i veprimtarisë farmaceutike” si dhe “Rastet e posaçshme të falsifikimit”./GazetaInsajderi