Lajme

Një javë nga krimi ndaj Liridonës: Burri i saj, një familjar dhe një vrasës me pagesë të përfshirë në vrasjen mizore

Sot janë bërë një javë nga krimi që tronditi Kosovën, vrasja e Liridona Ademajt – e cila u privua nga jeta mizorisht mbrëmjen e 29 dhjetorit. Burri i saj, një familjar i tij dhe një vrasës me pagesë po dyshohen se janë përfshirë në këtë ngjarje tragjike. Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla, dy persona që punuan për shtetin dhe i treti është Granit Plava që ekzekutoi Liridonën pak metra larg fëmijëve të saj, raporton Gazeta Sinjali.

Me një plan të detajuar, për motive akoma të panjohura, Naim Murseli po dyshohet se pagoi për ta vrarë bashkëshorten e tij, të cilën e çoi deri te “vendi” dhe ia “dorëzoi” dorasit – duke inskenuar gjithçka si një grabitje.

As 30 minuta pas orës 20:00, në rrugën “Dalip Alshiqi”, derisa familja Murseli, Naimi, e ndjera Liridona dhe dy fëmijët e tyre, njëri 4 e tjetri 6 vjeç, ishin në veturë dhe kishin marrë rrugën drejt shtëpisë së tyre, papritmas u përballën gjoja me dy plaçkitës.

Rrëfimi i Naim Murselit para Policisë, të cilin e publikoi Gazeta Sinjali ekskluzivisht natën e krimit për të shpëtuar nga dyshimet se rasti tragjik nuk kishte të bënte me grabitje çuan pikërisht në këtë drejtim.

Sipas dosjes së Prokurorisë, derisa Naim Murseli po drejtonte veturën, para automjetit ka dalë i dyshuari Granit Plava me maskë në kokë dhe armë në dorë. Në bazë të marrëveshjes, Naimi fillimisht del nga vetura me fëmijët dhe largohet nga vendi i ngjarjes gjoja se për të ikur, ndërsa në veturë ka mbetur gruaja e tij, Liridona, e cila u qëllua në afërsi nga Plava me një plumb në qafë.

“Puna” që kishin planifikuar deri këtu u krye, derisa Policia është vënë në dijeni për një rast që në bazë të informacioneve të para që morën atë natë u cilësua si “grabitje me pasoja të vrasjes”. Njësi të shumta policore dolën atë natë në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për zbardhjen e rastit që ngriti dyshime të mëdha nga momenti i parë.

Ishte Gazeta Sinjali që raportoi atë natë se sipas hetimeve preliminare, dëshmia e Naim Murselit, nuk do të ishte versioni i vetëm që do të hetohej, pasi pista u zgjerua dhe rezultoi pikërisht kështu. Naimi, dyshohet se ishte porositësi i vrasjes së gruas së tij.

Por si erdhi deri te dyshimi për përfshirjen e tij dhe krimit për të cilin po dyshohet bashkë me Kushtrim Kokallën, që ishte pjesëtar i FSK-së dhe Granit Plavën, dorasin.

Natën e krimit, u kryen ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes nga njësitet policore përkatëse, u largua vetura ‘BMW’ me targa të huaja e familjes Murseli dhe trupi i pajetë u dërgua për obduksion, kurse nisën kërkimet për ta kapur të dyshuarin.

Ndërsa Naimi, me një gjakftohtësi të paparë thuhet se dha deklaratën e tij në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e saj. Takimi kishte ndodhur në Gjakovë, si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.”

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”, thuhej në dosjen e Prokurorisë. Kushtrim Kokalla, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën dyshohet se ishin takuar në një pompë të derivateve, ku Plava i kishte treguar atyre se “merret me gjithçka”. Pas takimit, Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, të cilin e pajisi edhe me armë dhe vepruan ashtu siç planifikuan, organizuan dhe e vranë Liridona Ademajn.

Arrestimi i Naim Murselit

Hetimet filluan, dyshimet veçse ishin ngritur për përfshirjen e tij në këtë vrasje mizore, teksa Naimi u lirua, pasi zyrtarisht akoma nuk ishte lëshuar aktvendim për nisjen e hetimeve ndaj tij dhe intervistimin në cilësinë e personit të dyshuar.

Ajo natë i tronditi dy familjet, që vendosën, që ditën e premte t’ia japin lamtumirën e fundit Liridonës, në fshatin e lindjes të Naimit, Cërmjan të Gjakovës. Ishte pikërisht Naimi, që priti qindra miq e familjarë për ngushëllime, për vdekjen e gruas, që dyshohet se e planifikoi atë vrasje.

Liridona u varros dhe pas disa orësh, Policia zbarkoi në këtë fshat. Me dyshimin e ngritur se dëshmia që kishte dhënë natën kritike mund të ishte e rrejshëm dhe asgjë nga deklarata e tij nuk zbardhte rrethanat e vrasjes, Naimi përfundoi në pranga. Pista u zgjerua dhe Policia arriti ta identifikojë edhe “grabitësin” Granit Plavën.

Naimi e Graniti nuk ishin vetëm në gjithë këtë krim. Ata po dyshohet se u ndihmuan dhe bashkëpunuan me nipin e Naimit, Kushtrim Kokallën. Edhe ky i fundit u arrestua dhe tashmë tre personat e përfshirë ndodheshin në duart e Policisë, raporton Sinjali.

Ata u intervistuan, ku dyshohet se pjesërisht pranuan veprat për të cilat dyshoheshin dhe ndaj tyre brenda një periudhe të shkurtët u bë kërkesa për paraburgim.

Këto zhvillime që ndodhën pasditen e së premtes tronditën edhe më shumë familjen Ademaj, që u tmerruan kur kuptuan se dhëndri dyshohet se pagoi për vrasjen e së bijës së tyre.

Gjithçka mori kthesën dhe familja Ademaj tashmë prishin miqësinë me familjen Murseli. Nuk shkoi shumë dhe mëngjesin e së dielës ata vendosën që të bëjnë kërkesë për zhvarrimin e Liridonës dhe varrimin e saj në fshatin e lindjes, Rracaj të Gjakovës.

Atë ditë, tre të dyshuarit dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku u përballën me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. Kërkesa e Prokurorisë u aprovua dhe Gjykata ua caktoi masën e paraburgimit prej një muaji.

Naim Murseli po dyshohet për organizim të vrasjes, Granit Plava po dyshohet se kreu vrasjen dhe Kushtrim Kokalla po dyshohet për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.

Murseli, Plava e Kokalla të cilët po dyshohet se janë fajtorët e krimit ndaj Liridonës, u dërguan atë ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Në anën tjetër, familja e Liridonës njoftoi se është miratuar kërkesa për zhvarrim të trupit të së ndjerës dhe të hënën organizuan rivarrimin e saj në fshatin Rracaj. Dhjetëra qindra qytetarë morën pjesë në këtë ceremoni, teksa dhimbja veç po shtohej.

Lamtumira e fundit iu dha Liridonës mesditën e së hënës, me thirrjet që rasti të hetohet deri në fund dhe të vihet drejtësia në vend.