KryesoreLajme

Miratohet ligji për paga, Qeveria ndryshon këto paga

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës së 23 nëntorit ka shfuqizuar vendimin e nxjerrë në vitin 2017 nga kabineti qeveritar i Ramush Haradinajt për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Qeveria Haradinaj në fund të vitit 2017 kishte marrë vendim për rritjen e pagës të kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj, e cila preku automatikisht edhe sistemin e drejtësisë.

Më pas në kohën e Qeverisë Kurti 1 ishte marrë vendim që paga e kryeministrit të zbritej, por ato të drejtësisë nuk u preken.

Me miratimin e Qeverisë sot, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen sikur para vendimit të vitit 2017 të marrë nga Qeveria Haradinaj.

“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Kurti në mbledhjen e 109-të të Qeverisë.

Ndërkohë, Qeveria miratoi edhe projektligjin për pagat në sektorin publik. Kurti u shpreh se me këtë projektligj po krijojnë për herë të parë një sistem të unifikuar të pagave, që sipas tij, nuk do të ketë dallime të mëdha siç kishte më parë.

“Ky projektligj po krijon sistemin e unifikuar të pagave. Ky sistem ka për qëllim të rregullojë pagën për të gjithë ata që paguhen nga shteti. Ne jemi përpjekur t’i zvogëlojmë dallimet mes pagave që merren në sektorin publik, nga 20 herë sa ishte më parë, në 4.78 herë. Pagat e kreut të shtetit është pesë herë më e madhe se zyrtari më i thjeshtë që merr pagë nga shteti”, ka thënë ai.