Lajme

Ministria e Muratit i paguan pensionistët edhe pas vdekjes – ndau 46 mijë euro

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në krye me Hekuran Muratin, është kritikuar për ekzekutim të pensioneve tek pensionistët edhe pas vdekjes së tyre.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në bazë të një infografike, thotë se MF-ja ekzekutoi 106 pagesa në kategori të ndryshme të pensioneve, në vlerë prej 46,203 eurosh.

Sidoqoftë, ZKA-ja ka thënë se në krahasim me vitin paraprak, ka pasur një progres të theksuar.

“Duhet theksuar se te kjo kategori e skemave pensionale krahasuar me vitin paraprak ka një progres të theksuar pasi vlera e pagesave të parregullta në raport me vitin 2021 ishte zvogëluar për 418,918€ (Vlera e gabimit në 2021 ishte 465,121€, kurse në 2022 ishte 46,203€). Veprimet ishin ndërmarrë kryesisht nga largimi i përfituesve pas vdekjes në listat e pensioneve bazë dhe ato të kontributeve”, thuhet në raport.

Kjo, sipas auditorit po ndodh për shkak të vonesave në lajmërimin e vdekjes së pensionistëve nga ana e familjarëve. Për këtë, ZKA-ja ka kërkuar nga ministri Murati që ta analizojë me hollësi si çështje dhe të rimbursohen paratë e humbura.

“Ministri duhet të analizojë në hollësi çështjen e pagesave më sipër dhe të shqyrtoj mundësitë për kthimin e tyre nga shfrytëzuesit në llogarinë e buxhetit. Gjithashtu duhet të siguroj forcimin e kontrolleve të brendshme në mënyrë që të krijoj një komunikim më efektiv ndërmjet databazave të skemave pensionale”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ministri Murati para pak ditësh ka paralajmëruar ndryshime në procesin e lajmërimit të pensionistëve. Sipas tij, po shihet mundësia që shteti të shkojë te pensionistët për verifikim.

ZKA-ja gjeti shkelje, duke thënë se mbajtja e pozitave me u.d. ndikon në përformancën e ministrisë.

“Në MFPT, 13 pozita të rregullta udhëheqëse mbaheshin me zëvendësues të cilët kishin tejkaluar afatin ligjor prej nëntë (9) deri në 17 muaj. Arsye e mos shpalljes së konkurseve ishte për shkak të procesit të fuzionimit të strukturës dhe stafit të MFPT-së, i cili proces ishte ende në fazën e pritjes për miratimin e draft rregullores së re për organizim të brendshëm”, thuhet në raportin e Auditorit për Ministrinë e Financave.

“Ndikimi Mbajtja e pozitave udhëheqëse me zëvendësues përtej afatit ligjor, mund të ndikojë në performancën e Ministrisë, duke qenë se stafi zëvendësues mund të mos i plotësojë kriteret e nevojshme për të ushtruar një pozitë të tillë”, vijon raporti.

Kësisoj, auditori rekomandon nga ministri Murati që të aprovojë rregulloren e organizimit të brendshëm dhe të kryhet procesi i fuzionimit të strukturave përbrenda ministrisë.