Lajme

Lipjan: 45-vjeçari ia ngacmon seksualisht vajzën e mitur komshiut, përfundon në pranga të Policisë

Ngacmimet dhe sulmet seksuale ndaj vajzave të mitura janë një fenomen mjaft shqetësues në vendin tonë që po alarmon të gjithë. Siguria e vajzave po cenohet edhe në hapësira publike, shkolla, mjete të transportit e në rrugë. Të dyshuarit për këto raste jo rrallëherë dalin të jenë edhe persona në moshë të shtyrë, siç ka ndodhur me plot raste së fundmi, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur në Lipjan, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet dhe ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 45-vjeçar, i cili po dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht që një kohë vajzën e komshiut të tij, në fshatin Kraisht të Lipjanit. Vajza e cila është ngacmuar nga i dyshuari është 16-vjeçare.

Sipas informacioneve të para, e mitura që një kohë është e shqetësuar për shkak të ngacmimeve të të dyshuarit, i cili nuk e ka lënë rehat, situatë kjo që i ka krijuar asaj pasiguri dhe frikë të madhe, me ç’rast ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar rastin,

Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë dhe brenda kësaj periudhe pritet që Prokuroria të bëjë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.