Lajme

Ky është shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në Prishtinë ku humbi jetën një 61-vjeçar

Mbrëmë rreth orës 20:40 në Prishtinë ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku ku janë përfshirë një furgon dhe një biçikletë. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i biçikletës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin e rëndë është Lavdim Çitaku, 34-vjeçar.

Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së automjetit, me ç’rast ka goditur biçikletën duke i shkaktuar plagë të rënda që rezultuan fatale për 61-vjeçarin.

Çitaku është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.