Ky është personi që sulmoi punëtorin e Extreme Pizza pas gjuajtjes me armë në “Aktash”
Kryeqyteti as sot nuk gjeti qetësi. Në lagjen “Aktash” të Prishtinës edhe sot u dëgjuan të shtëna armësh, vetëm dy ditë pas incidentit mes familjes Sekiraqa dhe Capat, të njohura edhe si grupe që janë në konflikt qe një kohë, duke lënë të vdekur një person dhe plagosur pesë të tjerë.
E Gazeta Sinjali raportoi edhe sot ekskluzivisht për gjuajtje me armë në Aktash, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
Siç mësoi Sinjali, një punëtor i Extreme Pizza-s u sulmua nga një person, ndaj të cilit i shkoi te vetura dhe i nxori armën.
Sinjali mëson se personi që e sulmoi punëtorin është Drilon Havolli.
Sinjali siguroi pamje ekskluzive kur i dyshuari nxjerr armën dhe i shkon te vetura punëtorit të Extreme-it, i cili në ato momente del nga automjeti dhe përballet me të dyshuarin.
Siç shihet në pamje, i dyshuari e repeton armën dhe ia vendos në kokë punëtorit – situatë kjo që për pak ka mundur të përfundonte tragjikisht.
Lidhur me rastin njoftoi edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se informatën e parë e kanë marrë nga ora 14:30.
Pas marrjes së informatës, Policia tha se ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Siç tha Ahmeti, bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nuk ka persona të lënduar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata