Lajme

Ky është i arrestuari për thyerje te bankës në Skenderaj – punëtor i AKP-së dhe vëlla i zëvendës-Drejtoreshës së AKP-së

Një person në Skenderaj të shtunën kishte tentuar ta thyente bankën më pas ai ishte arrestuar nga policia. Pasi nuk ia arriti qëllimit ai u bë gati për të ikur më veturën e tij, por goditi edhe tre vetura të tjera. Veriu.info ka zbuluar se i dyshuar është Liridon Dibra punëtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

I dyshuari Liridon Dibra, 38-vjeçar ishte arrestuar dhe kishte përfunduar në ndalim policor. Ai dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit. Ndaj tij është caktuar edhe masa e paraburgimit.

Veriu.info ka mësuar se i dyshuari, 38-vjeçar punon në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Nga kjo agjenci kanë konfirmuar për Veriu.info se Liridon Dibra punon aty, por që sipas tyre i njëjti gjendet në pushim vjetor.

“Lidhur me interesimin tuaj, ju njoftojmë se punëtori i AKP-së, Liridon Dibra ndodhet në pushim vjetor dhe nuk kemi ndonjë informatë për rastin që ju i referoheni”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Veriu.info.

Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se Liridon Dibra është vëllau i Valbona Dibra, e cila është Zëvendës Drejtor Menaxhues – Shitje në Agjencinë Kosovare të Privarizimit, pra aty ku punon edhe vëllai i saj, Liridoni.

Rasti kishte ndodhur në rrugën 18 Qershori” në Skenderaj ku ishte thyer ekrani i bankomatit të bankës Pro Credit. Pasi nuk ia arriti qëllimit, ai deshi të largohej me veturë dhe në pamundësi për të ikur, ka goditur me qëllim tri vetura.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, kërkesë kjo që u aprovua nga gjyqtari i procedurës paraprake, me vendim të së cilit, i dyshuari është dërguar në paraburgim për një muaj.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari do të hetohet nën dyshimet se ka kryer veprat penale “Vjedhje e rëndë në tentativë” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”./Veriu.info