Lajme

Ky është drenicas që kërcënoi policët në Drenas pasi e dënuan, ndalohet për 48 orë

Ligji i ri për rregullat e trafikut, i cili ka për qëllim veçanërisht rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve në trafik, parasheh edhe dënime më të ashpra. Kohët e fundit, jo rrallëherë, Policia është përballur me kanosje e madje edhe me sulme qoftë verbale apo fizike gjatë shqiptimit të gjobave ndaj shkelësve të këtyre rregullave

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Drenas, ku zyrtarët policorë të Trafikut janë kërcënuar nga një shofer.

I dyshuari i ka kanosur policët për shkak të një dënimi me gjobë që iu shqiptua si pasojë e thyerjes së rregullave në trafik.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se personi i dyshuar është Përparim Rama (28-vjeçar), i cili përfundoi në pranga.

I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Kanosja”.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka ofenduar dhe kanosur zyrtarët policor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.” – ka njoftuar Policia.