Ky është burri që po hetohet nga shteti, pasi u kap duke punuar ilegalisht në lagjen serbe
Kompania nga Mitrovica dy javë më parë është kapur nga Policia e Kosovës duke shtruar asfalt në vendbanimin “Lugina e Diellit” që është projekt i financuar nga Serbia në Veri të Kosovës.
Më 9 gusht të këtij viti makineri pune ishin parë tek asfaltonin në vendbanimin “Lugina e Diellit”- një projekt i Qeverisë së Republikës së Serbisë në Veri të Kosovës që është kontestuar vazhdimisht ligjshmëria e tij nga autoritetet kosovare.
Prokuroria tashmë ka nisur hetimet ndaj Fehmi Caranit nga Mitrovica, shkruan jepize.
“Është pranuar informacion nga ana e Policisë së Kosovës për ndërtim – punime pa leje te organit kompetent në lokacionin e lartë cekur, për çka dhe është autorizuar Policia e Kosovës që të hapet rast për një person me iniciale F.C., për veprën penale ‘Ndërtimi pa leje’”, thuhet në përgjigjet e prokurisë
Policia as Prokuroria nuk kanë treguar se kush e kishte kontraktuar firmën “Urban O.P”, aktualisht në pronësi të Ibish e Naim Ceranit, për këtë punë dhe se kush do ti paguante shërbimet e saj
Kjo firmë, që në platformën “prokurimi i hapur” del që më herët të ketë pasur edhe emrin “N.N.SH. “Urban”, por që me të njëjtin numër identifikues tash del si “Ruban O.P”, ka pasur edhe një ortak. Del që pos Ibish Ceranit, ortak ka qenë edhe Zija Ahmeti.
“Lugina e Diellit”, projekti që u pa si kolonizim i Serbisë në Kosovë
Në Zveçan, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe që nga viti 2016 janë duke vazhduar punët në ndërtimin e 300 njësive banesore në kuadër të vendbanimit “Lugina e Diellit”.
Këto njësi banesore janë të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb dhe sipas një raportimi të vitit 2020 të Radio Evropa e Lirë, kostoja është rreth 14 milionë eurove.
Autoritetet e Kosovës e kanë kundërshtuar këtë vendbanim me arsyetimin se i mungon leja e ndërtimit.