Kryesore

Kurti: E papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas arrestimit të kriminelit të luftës, Sasha Cvjetan, i cili në Greqi u riarrestua nga DEA amerikane për drogë.

Cvjetan ishte pjesëtar i formacionit paraushtarak “Scorpions”, të cilët u vunë në gjyq në Serbi sepse në mars të vitit 1999 kishin pushkatuar shtatë fëmijë të moshës dy deri në 15 vjeç dhe shtatë gra në Podujevë.

Kurti e ka quajtur të padrejtë dënimin e tij prej 20 vjetësh e më pas lirimin e Sasha Cvjetan tri vjet para kryerjes së dënimit të plotë.

“Masakruesi i familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, i cili vrau 16 civilë shqiptarë të papërfshirë në luftë, anëtari i njësitit famkeq që mori pjesë edhe në Masakrën e Srebrenicës ‘’Shkorpjonët’’, Sasha Cvjetani, u pat dënuar me vetëm 20 vite. Ai madje ishte liruar në vitin 2018, 3 vite e gjysmë para përfundimit të dënimit për siç thuhej “sjellje të mirë’’, edhe pse ka vrarë fëmijë që kanë qenë duke fjetur. Sasha Cvjetani ka qenë pjesë e rezervistëve të Serbisë, që u angazhuan për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Ndërkohë vetëm dje e kuptuam që ai para ca ditësh është arrestuar në Athinë të Greqisë si pjesë e një karteli të drogës”, shkroi Kurti në Facebook.

Më tej, ai tha se ende nuk janë dënuar mijëra vrasës serbë për krimet që i kanë bërë në Ballkan.

“Ndërkohë ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh”.

Kurti përmendi edhe dënimin prej 26 vjetësh burgim që iu dha sot Salih Mustafës nga Gjykata Speciale, vendim që e quan të padrejtë.

“E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet”, shkroi ai.

Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?

Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit.

Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë”, përfundon Kurti.