Kryesore

Komisioni Evropian kritikon Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut që s’i vendosin viza Kosovës

Komisioni Evropian ka publikuar raportin e pestë lidhur me mekanizmin e pezullimit të vizave për vende të Ballkanit Perëndimor dhe harmonizmim e politikave të tyre me ato të BE-së, në të cilin mes tjerash kritikohen Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, që nuk kanë ndërmarrë veprime për të harmonizuar politikën e tyre të vizave me listën e vendeve të kërkuara për viza të BE-së, duke përmendur edhe Kosovën.

Ky raport i publikuar të hënën, vlerëson veprimet e ndërmarra në vitin 2021, në migrim, azil, gjyqësor, rendin publik dhe sigurinë.

Tek raporti për Malin e Zi Komisioni Evropian potencon se Mali i Zi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të harmonizuar politikën e vizave me listën e vendeve të kërkuara për viza të BE-së.

Përkundrazi, sipas raportit, në vitin 2021 dhe në fillim të vitit 2022, Mali i Zi u zhvendos nga politika e rekomanduar.

Shtetas nga Armenia, Kazakistani, Rusia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Kuba, Ekuador, Turqia, Katari dhe Kosova vazhdojnë të lirohen nga kërkesat për viza për qëndrim të shkurtër, thuhet në raport.

Sipas raportit, për disa kombësi përjashtimet janë sezonale dhe për të tjerat, janë të vlefshme gjatë gjithë vitit.

Kritikë të ngjashme Komisioni Evropian ka dhënë edhe për Maqedoninë e Veriut.

Në raportin për këtë vend, sa i përket përafrimit të politkës për viza me ato të rekomanduara nga BE për vendet e treta, veçanërisht ato vende të treta që paraqesin migracion të parregullt ose siguri rreziqet për BE-në,  Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë veprime në vitin 2021 për të harmonizuar më tej politikën e vizave të vendit me atë të BE-së.

Shtetasit e vendeve të mëposhtme, të cilëve u kërkohet viza për në BE, gëzojnë ende regjim pa viza për në Maqedoninë e Veriut: Azerbajxhani, Botsvana, Kuba, El Salvador, Kosovën dhe Turqinë.

Tutje, në raportin e Komisionit Evropian theksohet se çdo devijim i mëtejshëm nga lista e vendeve të kërkuara për viza të BE-së duhet të shmanget.

Hyrja e kosovarëve në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, lejohet me kartë identiteti.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Në anën tjetër, përkundër qëndrimit të Komisionit Evropian në këtë drejtim, Procesi i Berlinit, nismë e iniciuar nga Gjermania, në vazhdimësi promovon dhe bën thirrje për lëvizjes të lirë në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më 3 nëntor në Berlin, u nënshkruan arrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, u nënshkruan nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit.

Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova u pajtuan paraprakisht për marrëveshjet, në tetor, pas disa javësh negociatash të udhëhequra nga Gjermania.

Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania me mandat për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – për t’u mundësuar atyre që t’i bashkohen BE-së.