Kjo është shuma e parave që morën të dyshuarit që premtuan ndikim në Ministrinë e Bujqësisë për dallavere me grante
Aksioni i zhvilluar gjatë ditës së djeshme nga sektori i Hetimeve të Korrupsionit në Policinë e Kosovës ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për ushtrim ndikimi. Të dyshuarit që tashmë janë ndaluar kanë pranuar para në emër të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, duke premtuar ndikim për futjen e dy aplikuesve në listën e përfituesve të granteve. Shukri Xhaferi dhe Fatlind Idrizi u kapën në flagrancë dhe tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Por sa është shumë e të hollave që kanë pranuar të dyshuarit?
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit kanë pranuar shumën e të hollave prej 12 mijë euro, në emër të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, me premtimin se do të ushtrojnë ndikim te të njëjtit për dallavere me grante.
Hetimi i sektorit anti-korrupsion, në koordinim me Prokurorinë Speciale u finalizua me aksionin e zhvilluar gjatë ditës së djeshme, teksa veprimet e tjera hetimore pritet të ndërmerren brenda afatit ligjor.
Sa parashihet dënimi për ata që kryejnë veprën penale “Ushtrim Ndikimi”?
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që pranon përfitim me premtimin se mund të ushtrojë ndikim te personi zyrtar dënohet me gjobë dhe burgim deri në 8 vjet.
“Kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, ose pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, me pretendimin se ai apo ajo është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, zyrtarit të huaj publik ose personit të huaj zyrtar, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.