Lajme

‘Kishin kryqa në gjoks’, Enis Rama flet për dy turistët e dyshimtë në xhaminë e Mitrovicës

Gjatë ditës sd djeshme u raportua për arrestimin e dy personave te Xhamia e Madhe në Mitrovicë.

Redaksia kishte mësuar se një numër i madh policësh kishin shkuar në vendngjarje, për shkak të dyshimeve, ku kishin kontrolluar çantat e personave të dyshimtë.

Përkundër tentimeve për të folur me Policinë e Kosovës, ka qenë e pamundur, ndërsa në anën tjetër imami i kësaj xhamie, Enis Rama ka folur për lajmi.net, duke dhënë detaje shtesë.

Ai pohoi se turistët kishin shenjën e kryqit të ekspozuar dhe ishin ulur në mesin e besimtarëve.

“Bëhet fjalë për dy turistë ku njëri prej tyre me shenjën e kryqit të ekspozuar në gjoksin e tij ka hyrë në xhami dhe është ulë në mesin e besimtarëve”, tha fillimisht Rama.

Tutje, shtoi se besimtarët, kur panë sjelljet dhe shenjën që i karakterizonte, telefonuan policinë. Në fund tregoi se duke u thirrur në ato që kishte mësuar vetë Rama, gjithçka ka përfunduar mirë.

“Disa besimtarë kur e kanë parë kanë dyshuar në të për shkak të sjelljeve dhe pamjes së tij e kanë lajmëruar Policinë. Pas xhumasë morra informata se nuk ka diçka serioze dhe gjithçka ka përfunduar si më së miri”, përfundoi Rama.