Lajme

Këta janë vëllezërit që kërcënuan me vrasje babanë dhe njerkën, kapen me disa armë e rreth 180 fishekë

Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të rëndë që ka ndodhur të mërkurën në fshatin Strellc i Epërm në Deçan, ku dy persona po dyshohen se kanë ushtruar dhunë psikike ndaj prindërve të tyre, të cilët i kanë kërcënuar me vrasje. Për të mos mbaruar me kaq, edhe i kanë dëbuar nga shtëpia, por më pas përfunduan në pranga të Policisë.

Siç merr vesh Sinjali, dy vëllezërit që po dyshohen për këtë rast janë Driton dhe Veton Hasanramaj, në shtëpinë e të cilëve Policia zbarkoi sot.

Sipas informacioneve të para, dy të dyshuarit iu kanë bërë presion babait dhe njerkës së tyre e madje edhe i kanë kërcënuar seriozisht, duke iu dhënë ultimatum që të largohen nga shtëpia ose “do t’i vrasin”.

Përballë kësaj situate, prindërit e kanë raportuar rastin në Polici dhe si rezultat i denoncimit, dy të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre.

Ndërkohë sot, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka kryer kontroll në shtëpinë e tyre, ku kanë gjetur disa armë dhe rreth 180 fishekë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë, me ç’rast është bërë e ditur krejt çka u sekuestrua:

Njё (1) pistoletё Sig Sauer 9×19 mm, armё e cila kishte leje përkatëse

Njё (1) karikator i sё njejtёs armё

Tridhjetё e tre (33) fishekt kal. 9x19mm

Njё (1) pushkё e gjatё Mossberg me dylbi kal: 30-06 SPRG, armё e cila kishte leje pёrkatёsё.

Njёzet (20) fishek tё sё njejtёs armё.

Njё (1) armё AK-47

Dy (2) karikator i sё njejtёs arme

Njёqind e njёzet e njё (121) fishek kal: 7.62×39 mm.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.