Këta janë dy vëllezërit e dyshuar që kërcënuan e sulmuan Policinë në Prishtinë, njëri u denoncua nga gruaja për dhunë
Pranoi mijëra euro ryshfet nga bizneset, vihet në pranga zyrtari i ministrisë
Sot gjatë ditës u raportua për një sulm ndaj Policisë në rrugën “Mbreti Bardhyl” ku një njësi policore kishte shkuar për të intervenuar në një rast të dhunës në familje. Zyrtarët policorë u kanosën dhe u sulmuan nga dy vëllezërit Majaci, të cilët për pasojë përfunduan në pranga.
Sinjali ka mësuar detaje për rastin e dhunës që ishte denoncuar dhe identitetin e të dyshuarve.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit e arrestuar janë Urim Majaci dhe Florim Majaci, të cilët po dyshohet se i penguan zyrtarët policorë mëngjesin e së mërkurës.
Siç mëson Sinjali, Urim Majaci ishte denoncuar nga bashkëshortja e tij, e cila pretendonte se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tyre të mitur. Pas raportimit të rastit, zyrtarët policorë kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, por aty hasën në pengesa e madje edhe u sulmuan.
Fillimisht, i dyshuari i parë i ka kanosur seriozisht policët, të cilët edhe i ka fyer, duke i penguar kështu në kryerjen e detyrës. Për të mos mbaruar me kaq, zyrtarët policorë u ballafaquan edhe me vëllain e tij, i cili dyshohet se i sulmoi fizikisht.
Pavarësisht rezistencës nga të dyshuarit, Policia i ka vënë të dyshuarit nën kontroll, duke i arrestuar dhe dërguar në stacion policor, ku janë intervistuar dhe më pas ndaj tyre kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Dy vëllezërit e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, njëri për veprën penale “Kanosje” dhe tjetri për “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.