Lajme

Këta janë dy të dyshuarit që u kapën me 2 kilogramë marihuanë, djali dërgohet në mbajtje

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për arrestimin e dy të rinjve në qytetin e Prizrenit, pasi të njëjtit gjatë ditës së djeshme u kapën me dy kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. I dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara do të hetohet në liri.

Burimet e Gazetës Sinjali Brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Denis Gashi dhe Ardiola Miftari, që të dy 22-vjeçarë.

Ata u kapën mat në rrugën ‘Ismail Qemali’, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka dhënë sinjal që vetura që po drejtohej nga Ardiola, të ndalet për kontroll.

E reja nuk i është bindur urdhrave të Policisë dhe ka vendosur që të rris shpejtësinë e automjetit, duke u larguar që e aty dhe madje duke shkaktuar edhe aksident me goditjen e një veture të parkuar dhe një lokali.

Ndërkohë për të shpëtuar nga prangat e Policisë, Denisi dyshohet se bashkë me narkotikët që kishin në posedim, ka dalë nga vetura dhe është nisur të ikë në këmbë, por pavarësisht tentativës për t’u arratisur, ai është arrestuar.

Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në banesën e 22-vjeçarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar një mulli për bluarjen e marihuanës dhe dy sprejë.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të rinjve është iniciuar rasti për veprën penale ‘Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe Denisi është dërguar në mbajtje, ndërsa Ardiola do të hetohet në liri.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.