I riu që vdiq në spital pasi u plagos me armë në Mal të Zi, është nga Shipoli i Mitrovicës
Një kosovar ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes në Podgoricë, pranë kodrës së Goricës, raporton “Jepi zë”.
Viktima është Binak Kabashi, nga Shipoli i Mitrovicës, me prejardhje nga Hasi, shtetas i Republikës së Shqipërisë. Ai ishte raportuar fillimisht si i plagosur rëndë dhe u dërgua në Qendrën Klinike të Malit të Zi (QKKM), ku iu nënshtrua ndërhyrjeve urgjente kirurgjikale. Përkundër përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital.
Lajmin për vdekjen e të riut e ka konfirmuar babai i tij, Ali Kabashi, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, ku ka shkruar:
“Shokë, miq, do ju njoftojmë me kohë për varrimin e djalit.”
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 21:45 të së enjtes, si pasojë e një debati mes viktimës dhe një shtetasi tjetër shqiptar, E.B., 23 vjeç.
Sipas Policisë së Malit të Zi, autori u arrestua në kanionin e lumit Moraça, midis urave Blazov dhe Viseçi, pas një operacioni të gjerë në të cilin u përfshinë edhe Njësitë Speciale të Policisë.
Policia bëri të ditur se E.B. posedonte dokumente udhëtimi të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ai tashmë po përballet me akuza për vrasje.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje vijojnë.