I dyshuari për plagosjet në Shtërpcë, pjesëtar i FSK-së
I dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Mehaj në një status në Facebook të premten, ka thënë se i dyshuari A.K. (33 vjeç) do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që janë në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë.
“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj ka shprehur keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë.
“Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin. Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, ka shkruar ai.
Dy qytetarët në Shtërpcë, sipas Policisë, u plagosen nga një veturë në lëvizje mesditën e së premtes. Ndërsa, Policia shumë shpejt arrestoi të dyshuarin.