Lajme

Gruaja sulmon me thikë burrin, u kapen për para

Rastet e dhunës në familje në vendin tonë, çdo ditë e më shumë janë në rritje. Në shumicën e rasteve, ato raportohen nga gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre. Por ka raste kur edhe burrat kërkojnë ndihmë në Polici, pasi sulmohen nga partneret e tyre. Kështu ka ndodhur së fundmi në Prishtinë dhe viktimë këtë herë është një burrë i moshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është raportuar nga një 76-vjeçar, i cili e ka denoncuar në Polici gruan me të cilin bashkëjeton që disa javë.

Sinjali mëson e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e viktimës, i cili derisa ishte duke ngrënë darkë me të dyshuarën, kjo e fundit është kapur me të për shkak të një mosmarrëveshjeje për të holla.

Për pasojë, konflikti ka eskaluar dhe e dyshuara e ka sulmuar partnerin e saj 76-vjeçar me thikë. Përballë kësaj situate, i dyshuari ka kërkuar ndihmë, duke e njoftuar Policinë për atë që ka ndodhur.

Njësitet policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, por s’kanë arritur ta kapin të dyshuarën, për të cilën viktima ka deklaruar se nuk ka shumë informacione.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar “Dhunë në familje”.,