Lajme

Gruaja e çon burrin në polici për dhunë, u kapën për shkak të fëmijëve nga martesa e mëparshme

Rastet e dhunës në familjet kosovare nuk po kanë të ndalur. Pothuajse çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku në shumicën prej tyre viktima janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e familjarët e tjerë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të premten në fshatin Gushavc të Mitrovicës.

Sinjali mëson se një grua 49-vjeçare e ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj 39-vjeçar, pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Telashet mes çiftit dyshohet se kanë nisur që një kohë për shkak të zënkave mes tyre, për shkak të fëmijëve të burrit, nga martesa e mëhershme.

Kjo ka bërë që atë kapen dhe për pasojë ka plasur konflikti, që ka eskaluar në dhunë fizike, për çka viktima ka marrë trajtim mjekësor në spital dhe më pas ka vendosur ta njoftojë Policinë për atë që ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit të rastit, viktima është dërguar në strehimore, ndërkaq i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet. Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje‘.