E trishtë: Trupi i 41 vjeçarit i mbuluar me gjak alarmoi Prishtinën – Por nuk ishte therje… ishte heroina që i shpërtheu venat
Jo çdo gjak në rrugët e Prishtinës mund të jetë pasojë e një krimi. Disa janë pasojë e një lufte të heshtur, lufte me varësinë, me heroinën, me vetveten.
Kështu ka rezultuar edhe sot, në orët e pasdites, në zonën afër banesave te “Market Ani” në Prishtinë, ku një 41-vjeçar u gjet i shtrirë në tokë, me trupin e përgjakur. Qytetarët e alarmuar menduan se ishte therur me thikë. Por e vërteta që zbulohet nga burimet e Gazetës Sinjali në QKUK është edhe më tronditëse: nuk kishte as thikë, as sulm. Kishte vetëm një trup të shkatërruar nga heroina.
I shtrirë në emergjencë, mjekët konstatuan se F.S, 41 vjeçar kishte pësuar shpërthim të venave, jo si pasojë e ndonjë dhune fizike, por për shkak të injeksionit të radhës të heroinës, që trupi i tij nuk e përballoi më.
“Venat i janë dëmtuar aq shumë nga përdorimi afatgjatë, saqë edhe një injeksion e çon në shpërthim gjaku. Jo therje. Jo sulm. Vetëm një trup i lodhur nga droga,” – konfirmoi një burim mjekësor për Sinjalin.
Kjo nuk është hera e parë që mjekët përballen me raste që ngatërrohen me dhunë, por janë pasoja direkte të konsumimit të substancave narkotike, kryesisht heroinës, e cila jo vetëm që shkatërron jetën, por rrënon edhe trupin, venë pas vene, injeksion pas injeksioni, deri në kolaps.
Ky rast, si shumë të tjerë, nuk përfundon me arrestim, por me heshtje. Sepse nuk ka qendra rehabilitimi. Nuk ka programe afatgjata. Nuk ka rrugëdalje.
Ka vetëm rrugë, me trupa që bien në to. Dhe, gjak që nuk është nga krimi, por nga mungesa e kujdesit institucional.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë të raportojë për atë që institucionet zgjedhin ta injorojnë sepse droga nuk është më çështje e fshehur, është plagë e hapur në mesin e qytetit. Dhe po shpërthen… bashkë me venat, bashkë me jetët.