E tmerrshme: Sulmohet seksualisht një 11-vjeçare në Janjevë, i dyshuari ia vjedh dhe telefonin
Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tmerrshëm dyshohet të ketë ndodhur dje në fshatin Janjevë të komunës së Lipjanit, ku një person ka sulmuar seksualisht një vajzë të vogël.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se babai i të miturës ka denoncuar rastin në Polici, ku ka bërë me dije se vajza e tij ka qenë cak i sulmit seksual, pasi 21-vjeçari dyshohet e ka ndjekur nga pas në rrugë dhe ka dashur ta puth.
Po ashtu, sipas dëshmisë së babait të viktimës, i dyshuari ia ka vjedhur vajzës së tij telefonin dhe më pas është larguar.
Në kuadër të veprimeve hetimore, është marrë edhe dëshmia e 11-vjeçares, e cila është intervistuar në praninë e zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.
Si rezultat i denoncimit, i riu është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet për dy veprat penale ‘Sulm seksual’ dhe ‘Vjedhje’.