E rëndë: Burri në Skenderaj ia theu nofullën gruas për shkak të një zënke, ajo e çon në Polici
Vajzat dhe gratë vazhdojnë të mbeten viktimat më të shpeshta të dhunës në familje. Bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes në shumë raste ushtrojnë dhunë sistematike në mënyra të ndryshme ndaj tyre. E për shkak të dhunës fizike që përjetojnë, viktimat në të shumtën e herëve përfundojnë me lëndime të rënda dhe dërgohen në spital.
Me dhunë brutale nga bashkëshorti i saj, është përballur edhe një grua nga Skenderaj, por nuk e ka raportuar rastin në Polici deri para disa ditësh.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ka qenë vetë viktima ajo e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë pas kërcënimeve nga bashkëshorti i saj, ku zbuloi edhe një rast të rëndë që i kishte ndodhur muajin e kaluar.
Siç merr vesh Sinjali, bazuar në dëshminë e saj, burri ia ka thyer nofullën pas goditjeve të shumta ndaj saj, për çka ajo kishte përfunduar në spital, me lëndime të rënda.
Përballë kësaj situate, pas rastit të fundit, gruaja vendosi ta raportojë krejt çka kishte ndodhur në familjen e saj.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën ‘Dhunë në familje’’, ndërsa veprimet tjera do të ndërmerren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarit.’.