E mitura që u raportua e zhdukur dyshohet se u dhunua nga një 19-vjeçar, Policia bie në gjurmët e saj
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpeshherë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre me të cilët kanë krijuar lidhje dashurie. Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka u zbulua pasi viktima e rastit, një vajzë e moshës 16-vjeçare u raportua si e zhdukur dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj. Kjo ka alarmuar familjen, të cilët menjëherë kanë denoncuar rastin dhe kanë filluar kërkimet për vajzën, derisa Policia ra në gjurmët e saj.
Sinjali mëson se gjatë kësaj kohe, ajo dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një person të moshës madhore, me të cilin kishte qëndruar në një lokacion derisa askush nuk kishte informacione për vendndodhjen e saj.
Posa Policia arriti ta gjejë vajzën, e njëjta u shoqërua në stacion policor bashkë me 19-vjeçarin e dyshuar, të cilët janë intervistuar nga hetuesit policorë për atë që kishte ndodhur mes tyre.
Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.