Lajme

E FUNDIT: Familja tërheqë trupin e të riut nga Peja që vdiq në burgun serb

Familja e Artan Zymberit, të riut që vdiq në një burg në Serbi, tashmë ka tërhequr trupin e të ndjerit.

Kështu ka mësuar Nacionale nga burime pranë familjes së të ndjerit.

Gjithashtu, gazeta mëson se ata momentalisht janë në Hungari, teksa kanë filluar rrugën për në Norvegji, atje ku do t’i bëhet obduksioni.

Artan Zymberi, ishte i arrestuar e po mbahej në burgun e Sremska Mitrovica. Brenda burgut ra një zjarr. Artani vdiq vetëm disa ditë pas kësaj.

Familja e Artan Zymberit dyshon se djali i tyre, u mbyt në burgjet e Serbisë.

Pse u arrestua Artani?

Burimi i Gazetës Nacionale, ka thënë se Artan Zymberi, u arrestua në kufi me të hyrë nga Kosova në Serbi, para një viti.

Arsyet e arrestimit të tij, gjithmonë sipas burimit, ishin sepse Artanit iu gjetën disa medikamente, të cilat ai po i merrte me vetë për në Norvegji.

Për Artan Zymberin u nis edhe procesi gjyqësor, për çka ai u dënua, me 3 vjet e gjysmë burgim, thotë burimi.

“E kanë dënu, 3 vjet e gjysmë. Tash ka pasë me u ekstradu këtu ne Norvegji.”

Dyshimet e familjes: I ndjeri e kishte tatuazh Adem Jasharin

Dyshimet kryesore të familjes Zymberi janë se ai u mbyt në burg sepse mbante në gjoks tatuazh Adem Jasharin, e në krahëror Skënderbeun.

“Ngjarja që u kallë burgu ka ndodhë me 22 nëntor. Aty është raportu vetëm se janë lëndu 4 gardianë. Neve na kanë thënë në fillim se ka vdekë prej zemrës, pastaj prej lukthit. Atë raport Serbia ja ka dërgu Norvegjisë. Por ne nuk e kemi pranu raportin, se Artani ka vdekë prej shkaqeve natyrore, sepse pra, pak ditë më herët ka pasë shpërthim në burg. Kemi kërku, obduksionon me bë në Norvegji, për me i ditë shkaktarët”, tregon njëri nga familjarët.

Tutje familjarët tregojnë se kur e kanë vizituar Artanin në burg, ai ka qenë i maltretuar.

“Kur ka shkuar nëna e Artanit në vizitë aty në burg, e ka pa se djali është malltretuar. Madje ai është frikësu me bë muhabet të lirë, me nënnë e tij. Siq tregon vetë nëna e Artanit, gjatë vizitës në burg, Artani tërë kohën e ka kthyer kokën mbrapa, duke u frikësuar se dikush po i vjen nga mbrapa”

Familjarët e Artanit thonë se për krejt këto arsye, ata kanë vendosur që ta kërkojnë ekstradimin e djalit të tyre, për në Norvegji.

“E kemi kërku për me ekstradu në Norvegji. Në Serbi e malltretojshin, e rrahnin. E pamë se djali i ka punët keq. Por qe tash, në proces të ekstradimit jemi kanë, por Artani vdiq. Ne jemi të bindur se e kanë mbyt, veqse ka pasë tatuzhat me Adem Jasharin e me Skënderbeun, edhe kur e kanë arrestu ka qenë me veturë, me një shqiponjë të madhë përpara” deklaron ky familjar. Madje për këto pretendime, familjarët pretendojnë se e kanë një dëshmitar, i cili gjindej në burg me Artanin, e që është nga Siria.