Dyshime për armë ilegale mes të burgosurve, Policia rrethon Burgun e Dubravës
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë mëngjesin e sotëm ka kryer bastisje në Qendrën Korrektuese në Dubravë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se zyrtarët policorë janë vënë në kërkim të një arme ilegale e cila dyshohet të gjendet mes të burgosurve që vuajnë dënimin në këtë Qendër.
Bastisja është kryer pasi pak ditë më parë në hapësira brenda burgut janë gjetur disa fishekë.
Sinjali që nga mëngjesi ka provuar që të marrë një përgjigje nga zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur as në mesazhet e as në dhjetëra telefonatat e bëra.