Drenicasi i moshuar sulmon befasisht një person në mes të rrugës, e godet me stupc në kokë
Një person i moshuar ka përfunduar sot në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, si pasojë e lëndimeve trupore të cilat dyshohet se i mori nga një sulm fizik me të cilin u përball.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 80-vjeçari është dërguar atje me lëndime në kokë, të cilat i ishin shkaktuar si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Për shkak të gjendjes shëndetësore, pas dhënies së ndihmës së parë, i moshuari është transferuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë deklaratën e viktimës, i cili ka thënë se derisa ka qenë duke ecur rrugës është sulmuar befasisht nga një person me një shkop druri.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin, i cili po ashtu është në moshë të shtyrë.
74-vjeçari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.