Lajme

Dhunohet 39-vjeçarja, i dyshuari 24-vjeçar e shantazhoi dhe i kërkoi favore seksuale

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në Kaçanik, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti u zbulua pas denoncimit të një 39-vjeçareje, e cila e ka raportuar në Polici një person, për të cilin ka deklaruar se e ka dhunuar seksualisht në Kaçanik.

Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pasi i dyshuari e kishte kërcënuar e shantazhuar viktimën, duke e detyruar që t’i ofrojë favore seksuale në së paku tri raste.

Përballë kësaj situate, viktima vendosi të kërkojë ndihmë, duke e raportuar rastin në Polici, me ç’rast ka rrëfyer në detaje për gjithë ngjarjen e trishtë që i kishte ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka identifikuar personin e dyshuar, një 24-vjeçar, i cili tashmë është shpallur në kërkim.

Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit.