Lajme

“Bahesh për emergjencë. Nale kamerën mos ta thej për kry”, momenti kur sigurimi i spitalit të Gjakovës rrah gazetarët e Nacionales

Një sulm i paprecedent ka ndodhur ndaj ekipit të Nacionales, nga sigurimi i Spitalit të Gjakovës.

Ekip i gazetës Nacionale kishin shkuar në Spitalin e Gjakovës për të raportuar rreth ndërprerjes së të gjitha operacioneve. Kjo kishte ndodhur me arsyetimin e temperaturave të larta.

Megjithatë, përderisa ishin në afërsi të spitalit, sigurimi i spitalit e ka sulmuar fizikisht kameramanin e Nacionales gjatë kryerjes së detyrës së tij.

Kameramani i Nacionales ka marrë ndihmë mjekësore dhe gjithashtu ka dhënë deklaratën e tij në Policinë e Kosovës.

Sipas informacioneve, sigurimi që e ka kryer këtë sulm është ndaluar për 48 orë.

Rasti është kualifikuar si “Sulm” dhe “Lëndim trupor”.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës.

“Rreth orës 12 e 30 në Spitalin Rajonal është raportuar se një gazetare dhe një kameraman ishin sulmuar fizikisht nga një punëtor i sigurimit. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar një të dyshuar (mashkull i moshës madhore). Lidhur me rastin është kontaktuar prokurorit i shtetit, me vendimin e të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje si dhe është inicuar rast “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Sulm”.

Edhe kameramani edhe gazetarja e Nacionales janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Nacionale kërkon nga të gjitha institucionet reagim të duhur dhe dënim meritor për sigurimin që ka sulmuar ekipin e gazetës gjatë kryerjes së detyrave të tyre, për ta informuar publikun.

Spitali i Gjakovës dje ka bërë të ditur se ka marrë vendim për ndërprerjen e operacioneve.

“Të ndërpritet puna në sallat operative, për programin e ftohtë (të planifikuar) duke filluar prej datës 07.07.2023. Ky vendim është marrë për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve optimale në punë. Prej datës 07.07.2023 në sallat operative pranohen vetëm rastet urgjente, deri në një vendim tjetër”, thuhet në vendimin e spitalit “Isa Grezda”.

Ky vendim kishte nxitur shumë reagime. Kishte shkruar për këtë temë edhe gazetari Bujar Vitija.

“Temperatura ne sallat e operacionit ne klinikat dhe spitalet e SHSKUK-se keto dite shkojne deri ne 30 grade. Klimat dhe sistemi i ajrosjes nuk funksionojne dhe kjo perdoret si arsyetim me nderpre programin e operacioneve te planifikuara (rasti SP Gjakove). Shtoja ketu edhe mungesen e anesteziologeve per shkak te pushimeve vjetore”, thuhet në reagimin e tij.