Lajme

Alarmon analisti mitrovicas Nexhmedin Spahiu, thotë se jemi në prag të luftës

Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se Kosova dhe Serbia janë në buzë të luftës, pas tensioneve të fundit në veri të Mitrovicës.

“Një situatë e tillë është e rrezikshme, sepse mundësia për të eskaluar në dhunë është jashtëzakonisht e madhe, ne jemi në buzë të luftës, nëse kjo nuk është një inskenim”, tha Spahiu në Info Magazine të Klan Kosova, duke folur për dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga Gjyqësia, Prokuroria dhe institucionet e tjera të shtetit.

“Në rast se policët shqiptarë apo të tjerë e kryejnë punën e tyre, kjo nuk merret vesh, është vetëm në dëmin e atyre që kanë dhënë dorëheqje,. E njëjta gjë vlen edhe për punëtorët e administratës, nëse Qeveria e Kosovës do të jetë në gjendje që ta kompensojë punën e tyre me kuadrat të tjera, atëherë dëshmohet se shteti i Kosovës është funksional, pavarësisht bojkotit të pjesëtarëve të një komuniteti, por në rast se kjo bllokohet, atëherë dëshmohet pafuqia e shtetit të Kosovës”, tha Spahiu.

Tutje Spahiu tha se nëse bëhet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket targave, atëherë duhet të bëhet një ligj i ri për kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë në pozitat nga ku dhanë dorëheqje.