Lajme

Abdixhiku: Kurti s’ka plan për çështjen e veriut

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se në takim me kryeministrin Albin Kurti, nuk pa plan për zgjidhjen e çështjes së veriut.

Ai tha para mediave të martën se Kosova duhet të rreshtohet kah aleatët dhe të mos vjen në situatën që të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve.

“Nuk kuptuam diçka më të re sesa deklarimet e kryeministrit. Nuk pamë plan për zgjidhjen e çështjes së krijuar. Nuk pamë lëvizje për koordinim të plotë me aleatët tanë. Besojmë se koordinimi me Departamentin e Shtetit dhe me institucionet, me Uashingtonin dhe Brukselin, është zgjidhja e vetme për situatën e krijuar. Kosova duhet të sigurojë paqen dhe sovranitetin në territorin e vet”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku deklaroi se LDK-ja i jep mbështetje kryeministrit Kurti për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e Kosovës, por që sipas tij, duhet pasur plan dhe koordinim me aleatët

“Kosova të koordinohet me aleatët e vet. Çdo ecje me aleatët i sjell Kosovës siguri, ndërsa çdo devijim nga kjo e shpie Kosovën në rrugë të paqarta të sigurisë në të ardhmen. Kjo betejë është më e madhe sesa e Kosovës. S’ka koordinim të tillë derisa s’ka konfirmim të aleatëve që po ndodhë koordinim. I kërkuam Kurtit që temën e Serbisë të mos e bëjë temë të diskutimit publik në Kosovë”, tha ai.

Në takim me Kurtin, Abdixhiku tha se u diskutua edhe çështja e dialogut. Sipas tij, Kosovës i duhet një marrëveshje me Serbinë qënë thelb ka njohjen reciproke dhe që e ruan sovranitetin.

I pyetur se a duhet të pezullohet vendimi për targat, kryetari i LDK-së u shpreh se koordinimi do të nëkuptojë që vendimet të merren me aleatët.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë kërkuar Kosovës që ta pezullojë vendimin për targat e serbëve në Kosovë. Një çështje e tillë, sipas BE-së dhe SHBA-së, duhet të zgjidhet në dialogun gjithëpërfshirës mes Kosovës dhe Serbisë.