Lajme

“Më rrah çdo javë”/ Burri ushtron dhunë brutale ndaj bashkëshortes, shpallet në kërkim policor

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familje, për fat të keq është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të dhunës në familje. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë, raporton Gazeta Sinjali.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar mbrëmë edhe një grua në Fushë Kosovë, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dijes e 33-vjeçarja ka deklaruar se është viktimë e dhunës së vazhdueshme psikike dhe fizike nga bashkëshorti i saj, madje ka deklaruar se ai e rrah pothuajse çdo javë.

Bazuar në dëshminë e saj, burri me të cilin ka tre fëmijë, së fundi e ka sulmuar fizikisht dy herë brenda ditës duke e goditur brutalisht në pjesë të ndryshme të trupore.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për ta arrestuar të dyshuarin, mirëpo ai momentalisht ndodhet në arrati dhe ka qenë e pamundshme të kontaktohet.

Viktima bashkë me tre fëmijët prej 1 deri në 11 vjeç, për shkaqe sigurie është dërguar në strehimore.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.