Lajme

Aksioni kundër fajdes/Prokurori Maloku kërkon nga gjykata që veturat e sekuestruara t’i jepen në përdorim Policisë (Dokument)

Operacioni policor kundër fajdes i zhvilluar më 2 mars në disa qytete të vendit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda rezultoi me arrestimin e 15 personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale. Pronarët e auto salloneve e kompanive të tjera, që u arrestuan po dyshohen për fajde, detyrim e shmangie nga tatimi. Gjatë këtij aksioni, u konfiskuan disa vetura, 83 955 euro, armë e prova të tjera.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizaj, Rasim Maloku, më 8 mars 20203 ka bërë kërkesë për ‘urdhër ndalues përfundimtar për sekuestrimin e provave, pasurisë së specializuar në urdhërin e Gjykatës’.

Veriu.info ka siguruar kërkesën e prokurorit Rasim Maloku të bërë Gjykatës Themelore në Ferizaj, në çështjen penale ndaj të pandehurve: Kadri Gërbeshi, Egzon Salihu, Besnik Salihu, Skender Bajrami, Ibrahim Gërbeshi, Fatmir Gërbeshi, Fitim Vershevci, Nexhmi Abazi, Ilir Vershevci, Ajvaz Muzaqi, Bahri Abazi, Lindrit Haradinaj, Shukri Haxhiu, Shefik Rexhepi, Fadil Salihu, Arsi Saraqi, Bashkim Osmani, Mujë Ademi dhe Ramiz Ademi.

Në kërkesën e siguruar nga Veriu.info, në mesin e provave tjera shihet se prokurori Rasim Maloku i ka propozuar gjykatës të urdhëëroj masë të përkohëshme për sigurimin e pasurisë së specifikuar, duke i propozuar gjykatës që automjetet e sekuestruara t’i dorëzohen Qeverisë, gjegjësisht Policisë së Kosovës në përdorim.

Prokurori Maloku arsyeton kërkesën e tij, duke thënë se për shkak të numri të madh i të pandehurve, procedura penale për këtë çështje mund të zgjasë për disa vite, kurse vlera e veturave do të humbet dhe do të ketë shpenzime te panevojshme të mirëmbajtjes. Kështu që nëse Gjykata vendos përfundimisht që t’i kthej veturat të pandehurve, vlera e tyre do të bie në masë të konsiderueshme dhe me këtë do të dëmtohen edhe vet të pandehurit.

Nëse miratohet kërkesa e prokurorit Maloku nga Gjykata e Ferizajt, atëherë veturat e sekuestruara do të administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, e cila do të vlerësoj vlerën reale të veturave e pastaj ato do t’i dorëzohen Qeverisë, përkatësisht Policisë së Kosovës për përdorim deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Në bazë të kërkesës së Prokurorit Rasim Maloku drejtuar Gjykatës Themelore të Ferizajt, e të siguruar nga Veriu.info, shihet se veturat e sekuestruara janë si në dokumentin e mëposhtëm:

 

Ndërsa, 83 955 eurot e sekuestruara katër të pandehurve prokurori Rasim Maloku i kërkon Gjykatës që të merret vendim që ato mbahen në një llogari bankare të autorizuar nga gjykata, të cilat do të administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar.

Përderisa, për sendet e tjera të sekuestruara si: armë, pajisje elektronike dhe dokumentacion tjetër, të cilat nevojiten si prova në procedurën penale thuhet në kërkesë se duhet të administrohen nga Policia e Kosovës nën mbikëqyrjen e rreshterit Mehdi Kozhani ose të autorizuarit të tij.

VIJON: Veriu.info do të publikojë për secilin prej të pandehurve gjitha mjetet e tjera të sekuestruara, si: armë, mjete elektronike, dokumentacion, etj.