Lajme

AVUK alarmon për produktet Sllovene MU – dy prej tyre i heq nga tregu

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka alarmuar sa i përket dy produkteve Sllovene MU, pasi mori informatë nga distributori i produkteve të prodhuesit Ljubljanske mlekarne Slloveni se dy lloje të produkteve ‘’krem qumështi MU classic” dhe “krem djathi MU me spec të kuq’’ me numër lloti 1325459001 dhe 1325455001, duhet të tërhiqen nga tregu, nën arsyen se duhet të bëhen analiza shtesë.

Përmes një shkrimi në Facebook, AVUK njoftoi se Inspektorati veterinarë reagoi menjëherë duke e bllokuar për dalje në treg apo tjetërsim, sasinë prej 600 copë (krem qumështi MU classic 140 gr në sasi 300 copa dhe krem djathi MU me spec të kuq 140 gr në sasi prej 300 copë) nën dyshimin për prezencë të trupit të huaj fizik në këto produkte (rrezik fizik).

Sasia e këtyre produkteve të dyshimta aktualisht gjenden në depot e importuesit dhe janë duke u ruajtur në kushte adekuate, deri në vendimin tjetër.

“Me këtë rast, AUV njofton të gjithë qytetarët se produktet e njëjta të cilat gjenden në treg nuk janë të dyshimta, pasi e gjithë sasia e këtyre dy produkteve sipas lloteve të dyshuar është bllokuar para se të del në treg. Konsumatorët të mbrojtur!”.