Terrorizohet gruaja në Vushtrri: Hajnat i hyjnë në shtëpi dhe e tërheqin zvarrë, ia marrin unazën nga gishti
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Ka plot raste kur anëtarët e familjet hasin në hajnat që kanë hyrë brenda shtëpive, duke u ballafaquar kështu direkt me rrezikun, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe në fshatin Studime të Vushtrrisë ku persona të panjohur kanë tentuar që të kryejnë grabitje në një shtëpi në rrugën ‘Eshref Rashica’.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, kur e zonja e shtëpisë derisa po qëndronte në ballkonin e shtëpisë është ballafaquar me të dyshuarit të cilët me anë të forcës e kanë tërhequr zvarrë për flokësh.
Bazuar në dëshminë e ankueses dhënë organeve të hetuesisë, të dyshuarit e kishin dërguar në një vend ku nuk kishte ndriçim të mjaftueshëm dhe aty ia kanë marrë nga dora një unazë, të cilën megjithatë nuk arritën që ta përvetësojnë. Kjo për shkakun se ajo kishte rënë në tokë dhe më nuk kishin arritur ta gjejnë.
Pas denoncimit të rastit në Polici, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit dhe të intervistohen.