Vrasësi i shtatzënës vetëvritet në prezencë të Policisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se vrasësi i gruas shtatzënë H.M., është vetëvrarë të premten në prezencë të Policisë së Kosovës, pasi është lokalizuar.
“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policorë që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten. Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së dorasit”, ka shkruar Sveçla.
Gruaja shtatzënë 35-vjeçare është vrarë nga bashkëshorti i saj S.H., të mërkurën në mbrëmje, përpara Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
Viktima ishte në javën e 41 të shtatzënisë në momentin kur është qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Të premten në Prishtinë është mbajtur një protestë ku është kërkuar që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Vrasja e shtatzënës është e dyta e ngjashme brenda pak ditësh në Kosovë. Më 30 nëntor në Prishtinë një grua 63-vjeçare është vrarë me sëpatë nga bashkëshorti i saj, 70-vjeçar.