Aksident trafiku në Gjilan: Vetura godet fëmijën 13-vjeçar
Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.
Një aksident trafiku ka ndodhur edhe të shtunën në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjilan, ku një veturë ka goditur një këmbësor, fëmijë i moshës 13-vjeçare.
Sinjalizuesit e Sinjalit thonë se aksidenti erdhi pasi i dyshuari nuk ka respektuar rregullat e komunikacionit, për t’u ndalur derisa e mitura po kalonte rrugën, në vendkalimin për këmbësorë.
Për pasojë, vajza ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin e Gjilanit për trajtim mjekësor, ndërkohë që në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia.